Ardhja e pranverës në kultura të ndryshme lidhet me një sërë ritualesh. Edhe në Shqipëri në 1 mars shumë prej fëmijëve, vajzave dhe grave por edhe meshkujve vendosin në dorë një lidhëse dyngjyrëshe bardh e kuq. Ka prej tyre që e vendosin në datën 1 dhe e heqin në datën 14 siç ka të tjerë që e vendosin në 14 dhe e heqin “kur shohin dallëndyshen e parë”. Por pakkush e di në Shqipëri se ajo verore dyngjyrëshe është tashmë pjesë e trashëgimisë kulturore botërore nën kujdesin e UNESCO-s.

Në 6 dhjetorin e vitit 2017 pas një vendimi të marrë në mbledhjen e Komitetit Ndërqeveritar për Shpëtimin e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale në Jeju, të Koresë së Jugut, verorja u pranua në listën e trashëgimisë jomateriale të njerëzimit. Adrian Cioroanu, i dërguari i përhershëm i Rumanisë në UNESCO në datën 6 dhjetor 2017 në faqen e tij në Facebook, cituar nga News.ro shkruante: “Verorja u pranua në listën e përzgjedhur të trashëgimisë jomateriale UNESCO!

Dosja u depozitua nga Rumania bashkë me tri shtete të tjera: Bullgaria, Maqedonia dhe Republika e Moldavisë – në të cilat kjo traditë e pranverës ekziston me disa ndryshime në formë, por që ka të njëjtën frymë të festimit të rilindjes së natyrës”. Mediat vendase njoftonin se të njëjtin lajm e ndau edhe Ionut Vulpescu, nga Ministria e Kulturës dhe Identitetit Kombëtar: “Në pranverë, në 1 mars mbajtëm një konferencë për shtyp ku folëm për fazën në të cilën ndodhej kjo dosje. Dy javë më vonë gjendesha në Paris krah ministres së kulturës së Republikës së Moldavisë Monica Babuc, ku në kuadër të një aktiviteti të organizuar nga Ambasada e Rumanisë paraqitëm bashkë këtë dosje përpara Michael Worbs, që është Presidenti i Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s dhe përpara anëtarëve të trupit diplomatik të akredituar në Paris. Jemi të gëzuar dhe të kënaqur se përpjekjet tona patën efekt”.

Ndërkohë Ministrja e Kulturës e Republikës së Moldavisë, Monica Babuc lidhur me këtë lajm shkroi në rrjetin social: “Faleminderit dhjetor! Ke qenë bujar me ne në vitin 2016 kur e gjetëm qilimin në listën UNESCO dhe ja sot – veroren!”.