Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian (KKIE) zhvilloi te marten 11 mars 2025 takimin e radhës ku krahas Raportit Vjetor për vitin 2024 dhe Planit të aktiviteteve për vitin 2025, u disktuan temat: “Ecuria e procesit të integrimit europian gjatë vitit 2024 dhe statusi aktual i negociatave me BE” dhe “Direktivat e Bashkimit Europian mbi standardet e organeve të barazisë dhe nevoja e përafrimit të tyre në legjislacionin shqiptar”, çështje për të cilat ishin thirrur për të raportuar znj. Majlinda Dhuka, Ministër Shteti dhe Kryenegociatore e Shqipërisë me Bashkimin Europian dhe z. Robert Gajda, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Në takim përshëndetën Kryetarja e KKIE-së, znj. Jorida Tabaku dhe SH.T.Z Silvio Gonzato, Ambasador i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri. Kryetarja e KKIE-së, znj. Jorida Tabaku, në fjalën e saj e vlerësoi takimin të një rëndësie të veçantë për shkak të momentit që ndodhet vendi në procesin e negociatave, si dhe solli shqetësimin për pengesat institucionale dhe politike që sipas saj, kanë bllokuar procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, por dhe mbledhjen e Këshillit. Znj.Tabaku nënvizoi se vendi ndodhet në një moment vendimtar për procesin e negociatave me BE-në, pasi po afrohen zgjedhjet dhe Shqipëria është në prag të hapjes së negociatave me katër grup-kapituj. Duke e cilësuar një proces të vonuar, znj. Tabaku theksoi se e rëndësishme është mbyllja me sukses e kapitujve dhe jo thjesht hapja e tyre. “Ne nuk matemi dot me sesa kapituj janë hapur, por sa grupkapituj mbyllim me sukses. Shqipëria sot është në një moment delikat për të parë që: A ka mundësi që institucionet demokratike të funksionojnë? A ka mundësi që të mbajmë zgjedhje të lira dhe të ndershme? A ka mundësi që të tregojmë që ato standardet europiane, të cilat çdo ditë aspirojmë së pari t’i zbatojmë vetë? Duke pasur parasysh rëndësinë e zgjedhjeve, por sidomos duke marrë në konsideratë dhe raportin e OSBE/ ODHIR, mungesën e një reforme tërësore zgjedhore, por dhe kriteret që duhen plotësuar si pjesë e Grupkapitullit të parë “Themeloret”, unë besoj që sot ne kemi shumë detyra përpara”, u shpreh znj.Tabaku. Ajo kërkoi rritje të transparencës së procesit dhe nisjen e një diskutimi kombëtar, ku të përfshihen qytetarët, shoqëria civile, sindikatat, dhomat e tregtisë, etj, lidhur me implikimet që ka integrimi europian për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare.
Në fund të fjalës znj.Tabaku ngriti shqetësimin se disa iniciativa ligjore të qeverisë kanë shkuar kundër frymës së BE, eleminojnë konkurrencën dhe shkelin MSA-në. “Ne duhet të bëjmë çdo gjë që mos të shtyjmë asnjë afat për zbatim të ligjeve dhe detyrimeve që kemi për procesin e integrimit por të fillojmë tani. Boll kohë ka humbur Shqipëria! Boll kohë kanë humbur shqiptarët! Momenti për të marrë përgjegjësi dhe për të vepruar është tani”, përfundoi znj.Tabaku.
Në fjalën e tij përshëndetëse SH.T.Z. Silvio Gonzato, theksoi mbështetjen e Delegacionit të BE në procesin e integrimit dhe objektivit të Shqipërisë për çeljen e të gjithë grup-kapitujve deri në fund të 2027. “Tashmë Shqipëria po punon për të arritur standardet krahasimore të përkohshme për Grup kapitullin numër 1. Kjo është një fushë vërtet përcaktuese në lidhje me ritmin e negociatave. Çelja e negociatave për Grup-kapitullin 2 që është tregu i brendshëm dhe Grup-kapitullin 3 është gati duke u arritur”, theksoi z. Gonzato.
Duke u ndalur në momentin aktual, ku Shqipëria ka çuar në Këshillin e BE-së para 10 ditësh qëndrimin negociues dhe BE po përgatit qëndrimin për organizimin e konferencës tjetër ndërqeveritare, z.Gonzato nënvizoi se sfida e vërtetë mbetet kryerja e reformave të domosdoshme, në mënyrë që legjislacioni i Shqipërisë të jetë në përputhje të plotë me atë të BE në të gjitha fushat. “Nuk ka më kohë për zvarritje dhe Delegacioni i BE-së është i gatshëm të mbështesë Kuvendin për të arritur këtë gjë. Parlamenti është angazhuar që të përmirësojë funksionimin e vet të brendshëm. Për shkak të udhërrëfyesit për mirëfunksionimin e institucioneve demokratike, Kuvendi është angazhuar të rrisë transparencën dhe llogaridhënien e punës parlamentare, integritetin dhe rrisë e përmirësojë aksesueshmërinë e qytetarëve dhe OJQ-ve. Kuvendi luan një rol më të përgjegjshëm për të promovuar debatin në të gjithë vendin dhe konsensusin në Shqipëri për axhendën e integrimit në BE”, u shpreh z.Gonzato. Duke përgëzuar punën e KKIE dhe znj.Tabaku, z. Gonzato vlerësoi se fokusi i diskutimeve ishte mosdiskriminimi. “Barazia është ndër themelet e BE-së, gjendet në traktatet, por edhe në kartën tonë të drejtave themelore dhe i jep BE-së mandatin dhe përgjegjësinë për të luftuar diskriminimin”, u shpreh z.Gonzato.
Më pas znj. Majlinda Dhuka, Ministër Shteti dhe Kryenegociatore e Shqipërisë me Bashkimin Europian informoi mbi ecurinë e procesit të integrimit europian gjatë vitit 2024 dhe statusin aktual të negociatave me BE. Në nisje të diskutimit të saj znj.Dhuka vlerësoi fillimisht vendimin e Parlamentit Europian për të hapur zyrën e tij të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, të cilin e vlerësoi një mundësi e madhe për të ndërtuar një dialog të qëndrueshëm politik mes parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor me PE-në, por edhe një urë më të fortë lidhëse për dialogun me shoqërinë civile, grupet e interesit dhe gjithë partnerët e rëndësishëm lokalë.
Ndër të tjera znj.Dhuka theksoi se Shqipëria është shumë pranë integrimit në familjen europiane dhe u shpreh optimiste se kjo pranverë do të ketë zhvillime të rëndësishme për procesin. “Shqipëria po pret vendimin e vendeve anëtare për konferencën e radhës ndërqeveritare për të çelur negociatat për 17 fusha të tjera të ekonomisë së tregut dhe konkurrueshmërisë, dhe në maj, Shqipëria do të mikpresë mbledhjen e Komunitetit Politik Europian”, u shpreh znj.Dhuka.
Duke renditur disa nga momentet kryesore përgjatë vitit 2024, znj.Dhuka u shpreh se ishte një vit themel në përshpejtimin e rrugës së anëtarësimit në BE.
“Viti 2024 ka shënuar disa momente kulmore të këtij rrugëtimi. Në tetor Shqipëria çeli negociatat teknike për Themeloret, bazat e shtetit të së drejtës, dhe përgatiti qëndrimin drejt anëtarësimit, sipas së cilit Shqipëria do të konsolidojë themelet e shtetit europian, do të forcojë pavarësinë e gjyqësorit dhe do të mbështesë fort zbatimin dhe konsolidimin e Reformës në Drejtësi dhe luftën ndaj korrupsionit”, u shpreh znj.Dhuka, duke u ndalur më tej në vendimarrjen për çeljen e negociatave për fushat e politikës së jashtme dhe sigurisë duke afirmuar se vendi është një partner i besueshëm i BE-së.
“Viti 2024 shënoi progres edhe në lidhje me reformat ekonomike të tregut tonë dhe tregut të BE-së. BE prezantoi dhe vuri në zbatim Planin e ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe për Shqipërinë. Shqipëria përgatiti axhendën e reformave europiane zbatimi i së cilës i krijon vendit një mundësi e një mbështetje të mirë prej 922 milionë eurosh për investime dhe reformat e tregut”, theksoi znj.Dhuka.
Kryenegociatorja raportoi lidhur me tryezat e diskutimit me grupet e interesit, iniciativën për hapjen e zyrave në nivelin vendor për të forcuar dialogun në çdo bashki ku janë ngritur këshillat e integrimit europian, si dhe vlerësoi se duhet bërë më shumë për përfshirjen e të gjithë aktorëve në proces.
Znj. Dhuka vlerësoi se progresraporti i BE-së për Shqipërinë në vitin 2024 ishte ndër më të mirët, duke njohur reformat dhe duke shënuar faktin se Shqipëria ka bërë progres në 32 fusha nga 35 gjatë vitit 2024 dhe u shpreh optimiste se përgjatë vitit 2025 Shqipëria do të përmbyllë çeljen e negociatave për të gjitha fushat dhe të avancojmë me zbatimin e reformave.
Më pas z. Robert Gajda, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, diskutoi lidhur me Direktivat e Bashkimit Europian mbi standardet e organeve të barazisë dhe nevojën e përafrimit të tyre në legjislacionin shqiptar. “Këto Direktiva synojnë nga njëra anë pavarësinë apo garantimin e institucioneve ose organeve të barazisë dhe nga ana tjetër, me qëllimin final garantimin e efektivitetit të këtyre institucioneve gjatë kryerjes së funksioneve të tyre. E kjo nuk vjen si një rastësi nga ana e BE, por si një kohë e pjekur tashmë prej 25 vitesh monitorim”, u shpreh z.Gajda duke saktësuar se Direktivat tashmë janë të detyrueshme jo vetëm për anëtarët, por dhe vendet kandidate për në BE.
Duke vlerësuar legjislacionin në fuqi për diskriminimin si mjaft të mirë, z.Gajda theksoi nevojën e rishikimit të kuadrit ligjor për të garantuar përputhshmërinë me legjislacionin europian lidhur me garantimin e pavarësisë dhe efektivitetit për garantimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut. “Në natyrën e tyre, organet e barazisë janë institucione që janë ndërtuar për të mbrojtur pakicat shoqërore dhe kjo e vendos institucionin shpesh herë në kontradikta të thella me shumica të ndryshme shoqërore”, u shpreh z.Gajda, duke detajuar më tej Direktivat e BE lidhur me nevojat për garantimin e pavarësisë institucionale dhe financiare, miratimin e strukturës nga vetë institucioni, mbrojtja efektive që organet e barazisë duhet tu bëjnë viktimave të diskriminimit, koordinuar dhe administruar të dhëna që lidhen me barazinë, etj.
Në takim diskutuan lidhur me çështjet e ngritura dhe drejtuan pyetje lidhur me procesin e konsultimit dhe përfshirjen e shoqërisë civile dhe grupeve të interesit në procesin e negociatave: z.Ferdinand Xhaferri, znj.Blerjana Bino, znj. Etilda Gjonaj, z.Nikolin Jaka, z.Ismail Varoshi, znj.Zana Vokopola, z.Daniel Prroni, znj.Ines Muçostepa.
Aktiviteti u transmetua live në faqen zyrtare web dhe “Facebook” të Kuvendit. Ne takim mori pjese edhe perfaqesuesja e Fondacionit HM znj. Entela Binjaku.