Janë të shumtë qytetarët që e lidhin muajin tetor me nisjen e vitit akademik. Nga informacionet mediatike, nga bisedat informale, mësohet se numri i të rinjve nga Shqipëria që aplikojnë për studime jashtë vendit është disa mijra. Edhe ky artikull u shkrua në këtë atmosferë, i shtyrë nga dy episode në dukje të parëndësishme, por që paraqesin copëza nga jeta e një pjese të popullsisë shqiptare. Njëri episod lidhet me bisedën mes të dy të rinjve studentë të Fakultetit të Mjekësisë në një nga universitetetet më të njohura në Evropë. Ish maturantë nga dy qytete kryesore të vendit si Fieri dhe Tirana, sot ata janë në vitin e parë dhe të dytë në Charite-në e Berlinit. Edhe pse kishin mjaft gjëra për të ndarë me njeri-tjetrin në këtë stacion të jetës, siç është Universiteti, mjekësia si degë e dëshiruar, arritjet në Maturën Shtetërore, rezultatet e larta, nobelistët nga universitetet me peshë, vështirësitë për të gjetur konvikt, jeta në Berlin, etj., edhe pse të gjitha këto ishin të rëndësishme, një vend në bisedën e tyre e zuri përkatësia arumune. Pranimi në Universitetin “Karol Davila” të Bukureshtit të njerit prej tyre, vizitat disa herë në kryeqytetin rumun të tjetrit, i çuan natyrshëm tek origjina arumune, gjyshërit, mësimet e gjuhës, traditat në familje etj. Episodi i dytë ishte një pyetje – pohim shoqëruar me habi diku nga fillimi i muajit korrik: “Pse ende ka që shkojnë në Rumani me studime… mbaj mend ata të parët, në fillimet e ´90-tës”?. Është një fakt i jetuar nga shumë të rinj e të reja, që duke filluar nga viti 1993 e deri sot Rumania ka dhënë bursa studimi për të rinjtë nga Shqipëria në të gjitha nivelet arsimore. Ky proces ka qenë i pandërprerë ndaj dhe numri të diplomuarve në njësitë arsimore të shtetit rumun është tashmë disa mijra. Një pjesë e madhe prej tyre punojnë në Shqipëri aq sa është e pamundur të mos takosh dikë që nuk flet rumanisht kudo ku shkon, apo që nuk dëgjon të të thojë: “Kam bërë shkollën në Rumani”. Pjesa kryesore e këtyre të rinjve janë arumunë. Çdo vit shteti rumun i njofton familjet arumune të Shqipërisë të interesuara për të drejtuar fëmijët drejt shkollave të veta, përmes lajmërimeve zyrtare që mezi ç´priten. Mjaft të shohësh interesimin e tyre sidomos në periudhën para e menjëherë pas Maturës Shtetërore. Me shqetësimin prindëror tipik i shoqërisë shqiptare, një pjesë prej tyre i nisin këto interesime që nga muaji prill apo maj i çdo viti. Numri i të rinjve përfitues të bursave studimore ka qenë i ndryshëm nga viti në vit, pershembull për vitin 2012-2013 shteti rumun dha 53 bursa studimi. Në fillimin e korrikut të këtij viti Misioni Diplomatik i Rumanisë në vendin tonë i njoftoi personat me origjinë arumune, rumunë të kudogjendur, të cilët dëshironin të kryenin studimet në Rumani për të marrë dokumentin e vetëdeklarimit për përkatësinë në identitetin kulturor rumun, duke theksuar aspektin falas të këtij procesi të pandikuar nga askush. Për vitin 2023-2024 ndër aplikuesit, 7 të rinj arumunë nga Shqipëria u pranuan të studiojnë në Fakultetet e Mjeksisë dhe të Stomatologjisë në Universitetin e Mjekësisë dhe të Farmacisë “Karol Davila”. Nga këta 4 studentë përftuan edhe bursë studimore. Ndërkohë dhjetra të tjerë u pranuan në institucionet e larta arsimore në qytetet kryesore universitare rumune.Në disa raste procesi orientues drejt Rumanisë zhvillohet në disa drejtime, por nis gjithmonë në familje ndaj dhe aplikimi i këtyre të rinjve për në universitet është një rrjedhojë tejet normale. Këtë vit, sikundër për të disatin radhazi, Departamenti për Rumunët e Kudondodhur miratoi projekte edukative dhe kulturore që po zbatohen në Shqipëri e ku përfituesit janë të rinjtë nga familjet arumune të vendit. Edhe nga ky institucion fondet e akorduara kanë qenë të ndryshme, pershembull në vitin 2013 projektet e miratuara ishin në vlerën gati 40 mijë euro, por cdo herë ato kanë pasur në qendër edukimin dhe kulturën. Pjesëmarrësit në këto projekte kanë qenë dhe janë të rinj e të reja arumunë që me kalimin e kohës i drejtojnë interesat për studime të larta në vende të ndryshme, vecanërisht drejt Rumanisë. Gjatë verës 2023 nxënës dhe studentë arumunë nga Shqipëria kaluan 7 ditë pushimi në një nga destinacionet turistike e kulturore rumune ku edhe u njohën me bashkëmoshatarë nga shumë vende të botës. Kjo pjesëmarrje e tyre realizohet falë programit “ARC” që zhvillon qeveria rumune. 10 vjet më parë pjesëmarrësit nga Shqipëria ishin 20. Këtë vit që ishte edhe edicioni i 16-të i këtij programi, morën pjesë 45 vajza e djem duke e çuar numrin e përftuesve në gjithë këto vite pjesëmarrje, në disa qindra. Në cdo edicion pjesëmarrës paraqesin në këto verore edhe një pjesë nga traditat e arumunëve të Shqipërisë dhe kthehen nga kjo përvojë edhe më krenarë për përkatësinë e tyre. Të rinjtë nga Shqipëria i ndjekin studimet e larta në Rumani edhe falë programit të bursave që jep Ministria e Jashtme për të rinjtë e vendeve jashtë BE-së. Këtë vit pershembull në platformën “studyinromania” kur u mbyllën aplikimet më 10 mars 2023, ishin 50,857 kandidatë nga 146 shtete që kishin kërkuar një nga këto mundësi studimi. Vitet e kaluara shumë ndër aplikuesit kanë qenë nga Shqipëria. Si në çdo fillim viti universitar ka edhe të rinj që ky cast i gjen të kenë mbyllur fazën studimore dhe i drejtohen tregut të punës. Disa kanë kryer ciklin e parë, por shumica e tyre ndjekin ciklet më të larta. Enxhi, Elena, Françeska, etj, janë vetëm disa nga ish studentet arumune që janë diplomuar në Universitetet e Bukureshtit. Ato në intervistat e tyre ndërsa flasin për jetën studentore, ndalen edhe tek pikënisja e përvojës universitare, që është përkatësia arumune. Duke mbetur në atmosferën e nisjes së vitit të ri akademik nuk mund të mos marrësh në konsideratë edhe kontekstin shoqëror e politik në të cilin jetojnë familjet arumune në Shqipërinë e sotme. Ndodhemi në javën e tretë të CENSIT që po kryhet pas 12 vjetësh dhe sapo ka dalë raporti i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it për Zgjedhjet Vendore të 14 majit. Për CENSIN vetë INSTAT-i ka vendosur një numër pa pagesë në shërbim të qytetarëve për të dëshmuar një parregullsi apo një shqetësim, ndërsa në raportin e OSBE/ODIHR-it nuk ka si të mos vëresh vëmendjen e dhënë pakicave. Në raport theksohet se “Kushtetuta parashikon të drejta të plota politike, civile dhe sociale për personat që u përkasin pakicave kombëtare… nëntë minoritetet kombëtare të njohura zyrtarisht- Minoritetet Arumune, Boshnjake, Bullgare, Egjiptiane, Greke, Maqedonase, Malazeze, Rome dhe Serbe. Të dhënat e regjistrimit të vitit 2011 listojnë më pak se 1,5 përqind të popullsisë që i përkasin një pakice kombëtare. Megjithatë, 15.6 përqind e të anketuarve nuk e kanë deklaruar përkatësinë e tyre etnike”. Në raport flitet për fushatën e edukimit të votuesve edhe në gjuhët e pakicave kombëtare, për postera dhe spote në gjuhët e tyre, për përkthimin nga KQZ-ja, me mbështetjen e organizatave ndërkombëtare, të procedurave kryesore të votimit në gjuhët e pakicave etj. Vetë realiteti i pakicave sipas Ligjit për Mbrojtjen e tyre është një ndër kushtet kryesore që duhet të respektojë Shqipëria në rrugën drejt integrimit evropian. CENSI i saktë dhe i besueshëm, vendi i pakicave në raportin e ndërkombëtarëve, të rinjtë që ndjekin studimet e larta etj., e bëjnë tablonë e shoqërisë shqiptare sot, më të pasur. Kur këta të rinj, i drejtohen universiteteve edhe me vetëdijësimin dhe respektin për identitetin e tyre, kjo e rendit shoqërinë shqiptare më pranë standardeve evropiane. E kaluara, e sotmja dhe e nesërmja evropiane e shoqërisë sonë përherë do të bashkohen rreth të rinjve, ndaj të edukuar me vlera, me dashurinë për vendin, për origjinën, me respektin për sakrificën e të parëve për ruajtjen e gjuhës, traditave dhe zakoneve, ata janë e ardhmja e sigurtë për secilin prej nesh.