Nga data 15 maj 2023 në mbrëmje e deri në mëngjesin e datës 19 në vendin tonë zhvilloi një vizitë një ekip nga Shoqata për Kulturën e Banatit dhe nga Fakulteti i Muzikës dhe i Teatrit i Universitetit Perëndimor të Timishoarës në Rumani. Kjo vizitë u realizua falë bashkëpunimit të këtyre institucioneve me Fondacionin Harriet Martineau me seli në Tiranë. Ekipi në përbërje të të cilit ishin 8 pjestarë, profesorë, doktorë, doktorandë dhe studentë mori pjesë në disa takime kulturore që u zhvilluan në Tiranë dhe në Fier. Koordonatorët e programit nga Rumania ishin: prof.univ.dr. Lucian Emil Roșca, Dr. Adrian Boba, Dr. Lavinius Nikolajevic, Drd. Adrian Balla. Aktivitetet nisën paraditen e datës 16 Maj 2023, në selinë e Ambasadës së Rumanisë Tiranë ku ekipi nga Timishoara u prit nga Ambasadori i Rumanisë në vendin tonë Sh.T Oktavian Sherban. Drejtuesi i Përfaqësisë Diplomatike të Rumanisë në vendin tonë Ambasadori Sherban bëri një paraqitje të gjerë të historikut të marrëdhënieve mes dy vendeve tona, mbështetjes që Rumania I jep Shqipërisë në rrugën drejt BE-së, u ndal tek arumunët si një pikë lidhje e fortë mes dy popujve, tek të rinjtë që në mënyrë të përvitshme ndjekin institucionet arsimore rumune dhe që një pjesë e të cilëve sot janë në pozicione të rëndësishme të shtetit shqiptar duke kontribuar në zhvillimet e shoqërisë. Të ftuar për të qenë të pranishëm në takim disa orësh ishin edhe përfaqësues të komunitetit arumun të Shqipërisë. E mërkura e 17 majit u ishte rezervuar takimeve me komunitetin arumun: dita e dytë e aktiviteve nisi me vizitën në fshatin Rreth-Libofshë të qytetit të Fierit në familjet e lagjes Stan – Manastir. Miqtë nga Universiteti Perëndimor i Timishoarës ndanë me disa nga familjet e kësaj lagjeje çaste të veçanta në shoqërinë e këngës, muzikës instrumentale, gjuhës dhe traditave. Mikpritja e ngrohtë, respekti, komunikimi dhe gadishmëria ishin disa nga pikat kyçe të këtij takimi. Aktivitetet vazhduan me vizitën në fshatin Portëz në studion e Zisa Mushës, një ndër pjestarët e komunitetit arumun, i njohur për punimet mjeshtërore në dru. Vizitorët në atelienë e mjeshtrit Musha shprehën vlerësimin dhe befasinë për aftësinë për të punuar drurin e për të krijuar me duart e tij, vepra të çmuara. Më tej rreth një kafeje miqësore të pranishmit në mjediset pranë ateliesë, ndanë përshtypjet, vlerësimet për punën e tij si dhe shqetësimet për të ardhmen e artizanatit. Rreth orës 17.00 në qytetin e Fierit, në mjediset e kompleksit “Apollon” u mblodhën fëmijë, të rinj, qytetarë të moshave të ndryshme nga komuniteti arumun i qytetit të cilët ndoqën takimin muzikor me titull: “Tinguj pranvere”. Nëpërmjet këtij takimi muzikor Fondacioni H.Martineau risolli një cikël të vendosur në kalendarin e aktiviteteve disa vite më parë. Për të pranishmit interpretoi grupi vokal arumun i Mekatit të Vlorës. Ky grup sapo ka kaluar fazën e parë përzgjedhëse për në festivalin folklorik të Gjirokastrës. Më 24 maj ky grup do të paraqitet në nivel qarku në Teatrin “Petro Marko” të qytetit në fazën përfundimtare. Grupi polifonik arumun kishte udhëtuar posaçërisht drejt Fierit për t´u bashkuar në këtë aktivitet. Pas tri këngëve në dialektin arumun interpretuan edhe anëtarët e Ansamblit Vokal dhe Instrumental të Muzikës Tradicionale të Fakultetit të Muzikës dhe Teatrit të Universitetit Perëndimor të Timishoarës. Kënga, muzika instrumentale popullore, pasioni për traditën, dëshira për ta paraqitur atë, ishin e përbashkëta e këtij takimi. Mjedisi i ngrohtë, komunikimi i hapur, klima pozitive, ishin epiqëndra e këtij aktiviteti. Në kthim drejt Tiranës ndalesa e katërt e këtij udhëtimi ishte Kavaja. Në këtë qytet grupi nga Timishoara u prit nga z.Todi Buli, Drejtuesi artistik i Ansamblit Folklorik arumun të Kavajës. Ky grup me një aktivitet prej dy dekadash ishte në mbrëmjen e 15 majit edhe pjesë e Festivalit të Resë, edicioni 7 që u mbajt në Tiranë. z. Buli bëri për të pranishmit një paraqitje të shfaqjeve dhe vlerësimeve të marra si dhe shprehu dëshirën për të qenë pjesëmarrës në aktivitetet folklorike që zhvillohen në Timishoara, qytet që këtë vit është shpallur edhe kryeqyteti evropian i kulturës. Me pamjet e mrekullueshme të perëndimit të diellit mbi bregdet në Golem u mbyll edhe kjo ditë e veçantë takimesh kulturore dhe shpirtërore. E enjtja e 18 majit nisi me takimin zyrtar në Universitetin e Arteve mes ekipit nga Universiteti i Timishoarës dhe rektoratit të këtij Universiteti. Profesorët nga UVT i dorëzuan zv.rektorit të UA-së Prof. Arian Paços kërkesë-propozimin për nisjen e një bashkëpunimi mes të dyja institucioneve arsimore që do t´u hapë rrugën shkëmbimeve mes profesoratit dhe studentëve. Më tej Bibliotekës së Universitetit të Arteve ju dhuruan libra muzikorë rumunë nga ana e Shoqatës për Kulturën e Banatit. Drejtoresha e Bibliotekës znj. Miranda Bakiasi shprehu falëndërimet në emër të institucionit dhe foli edhe njëherë për lidhjet e shumta që vetë pedagogët e këtij institucioni kanë me Rumaninë. Në mesditën e së enjtes në Lektoriumin “Tonin Harapi” në prani të pedagogëve, punonjësve të Universitetit, të studentëve u mbajt një sesion ligjëratash me temë: “Kultura dhe folklori muzikor në hapësirën ballkanike”. Në këtë takim të pranishmëve ju paraqitën një seri punimesh në lëmin e folklorit që ekipi nga Universiteti i Timishoarës kishte kryer falë punës kërkimore shkencore. Në mbyllje të kësaj dite të ngjeshur aktivitetesh në sallën “Çesk Zadeja” të Universitetit të Arteve u mbajt një koncert recital ku interpretuan anëtaret e Ansamblit Vokal dhe Instrumental të Muzikës Tradicionale nga Fakulteti i Muzikës dhe i Teatrit në UVT. Kostumet, meloditë, këngët tradicionale rumune të trevave të ndryshme zbukuruan atmosferën e artdashësve të pranishëm në sallë.
Në mbyllje të kësaj vizite ishte rezervuar një intervistë në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në kanalin e parë të RTSH-së ku të pranishëm në studio dy nga profesorët rumunë folën edhe për projektet e ardhshme dhe dëshirën për një bashkëpunim dobiprurës për të gjithë partnerët e përfshirë.