A keni njohuri për ligjin e Pakicave Kombëtare në Shqipëri ? Informohuni për mbrojtjen e të drejtave që burojnë nga ligji për pakicat kombëtare në Shqipëri! Shqipëria ka një ligj shumë të mirë për pakicat kombëtare, por edhe pse kanë kaluar 7 vjet nga miratimi i tij, një pjesë e legjislacionit dytësor ka mbetur ende pa u zbatuar. Angazhimi i Shqiperise buron kryesisht nga përkatësia që ka në instanca ndërkombëtare, nga anëtarësia në Këshillin e Evropës, nga aderimi i Shqipërisë në Konventën Kuadër për minoritetet e Këshillit të Evropës.
Neni 1
Ky ligj rregullon ushtrimin e të drejtave të personave që u përkasin pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me parimet e parashikuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Konventën Kuadër të Këshillit të Europës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, ratifikuar me ligjin nr. 8496, datë 3.6.1999, dhe marrëveshjet ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut ku Republika e Shqipërisë është palë.
Neni 2.
Ky ligj ka për qëllim të sigurojë ushtrimin e të drejtave specifike të personave që u përkasin një pakice kombëtare, të cilat janë të nevojshme për mbrojtjen e identitetit dallues të pakicave kombëtare, si një përbërës thelbësor i një shoqërie të integruar dhe që garantojnë mosdiskriminimin dhe barazinë e plotë para ligjit
Neni 11.
Pjesëmarrja në jetën publike, kulturore, sociale dhe ekonomike
1. Personat, që u përkasin pakicave kombëtare, kanë të drejtë për pjesëmarrje të barabartë dhe efektive në jetën publike, ekonomike, sociale e kulturore të vendit, në veçanti, në çështjet lidhur me ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e kulturës, traditave dhe identitetit të pakicës së cilës ata i përkasin.
2. Personat, që u përkasin pakicave kombëtare dhe organizatat që përfaqësojnë pakicat kombëtare gëzojnë të drejtën e aplikimit dhe mbështetjen financiare nga institucionet e kulturës, me qëllim promovimin, ruajtjen dhe mbrojtjen e traditave të tyre, pa dallim identiteti kulturor, etnik, gjuhësor ose tradicional, në përputhje me legjislacionin në fuqi për kulturën.
Neni 14.
Liria e shprehjes, e mendimit, dhe e drejta e informimit
1. Personave, që u përkasin pakicave kombëtare, u garantohet dhe gëzojnë të drejtën të shprehin mendime dhe opinione, si dhe të marrin e të shpërndajnë informacione në gjuhën e pakicave, pa diskriminim dhe pa ndërhyrjen e autoriteteve publike.
4. Personat, që u përkasin pakicavekombëtare, gëzojnë të drejtën e informimit në gjuhën e tyre amtare. Radioja dhe televizioni publik qendror transmeton në njërin prej stacioneve të tij programe informative dhe kulturore në gjuhën e pakicave kombëtare.