Kuvendi i Shqipërisë në bashkëpunim me Rrjetin për Demokraci të Gruas në Shqipëri dhe me mbështetjen e IRI, zhvilloi te premten një konferencë me fokus sfidat dhe arritjet në fushën e barazisë gjinore, rolin e Kuvendit dhe bashkive për politika të ndjeshme gjinore, rolin e aktorëve si shoqëria civile në këtë drejtim, dhunën me bazë gjinore, dhunën kibernetike, sfidat e sukseset e politikave gjinore në nivel qendror dhe vendor.
Gjatë diskutimeve nga ekspertët dhe përfaqësuesit e ndryshëm, konferenca arriti të sjellë në vëmendje çështje të rëndësishme dhe të propozojë rekomandime konkrete.
Të pranishëm në konferencë ishin deputetet znj. Etilda Gjonaj, Raportuese e Përgjithshme për Dhunën Ndaj Grave në Asamblenë Parlamentare të KiE, e cila u ndal ndër të tjera tek Dhuna me bazë gjinore e ndikuar nga teknologjia; znj. Erisa Xhixho, Kryetare e Klubit të Deputetëve të Rinj; deputetja znj. Andia Ulliri, si dhe këshilltarë bashkiakë, kryetarë bashkie, përfaqësues nga Rrjeti Kombëtar i Monitorimit të Dhunës në Familje, dhe drejtues organizatash të ndryshme.
Takimi u përshëndet gjithashtu nga Drejtori i IRI për Shqipërinë, z. John Fluharty. Panelistët dhe të ftuarit bënë propozime dhe rekomandime konkrete për t’u adresuar në lidhje me barazinë gjinore, dhunën kibernetike ndaj grave dhe vajzave, planet gjinore të veprimit në nivel bashkie, etj.
Gjatë konferencës, pjesëmarrësit patën mundësinë të ndanin përvojat e tyre dhe të mësonin nga praktikat më të mira ndërkombëtare për përmirësimin e politikave gjinore. Diskutimet u përqendruan në identifikimin e pengesave ekzistuese dhe zhvillimin e strategjive të reja për të përballuar këto sfida. U theksua rëndësia e bashkëpunimit midis institucioneve qëndrore dhe vendore, si dhe roli kritik i shoqërisë civile në promovimin e barazisë gjinore.
Në javët e ardhshme, rekomandimet nga kjo konferencë do të dërgohen tek institucionet dhe të gjithë të pranishmit, me qëllim për të mbështetur përmirësimin e politikave dhe praktikave për barazinë gjinore në Shqipëri.