Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian znj.Jorida Tabaku organizoi një takim ndërgjegjësues të kërkuar nga përfaqësues të shoqërisë civile për diskutimin e dokumentit “Qëndrimi i përbashkët i Bashkimit Europian për Shqipërinë, Grupkapitulli I – Themelorët” dhe i tre udhërrëfyesve të miratuar “Për Shtetin e së Drejtës”, “Për Reformën në Administratën Publike 2023–2030″ dhe “Për Funksionimin e Institucioneve Demokratike”. Në nisje të takimit znj. Tabaku nënvizoi se me hapjen zyrtare të negociatave me BE-në është e domosdoshme gjithëpërfshirja e të gjithë aktorëve dhe faktorëve në këtë proces dhe nisja e një dialogu kombëtar për reformat që janë të nevojshme për tu ndërmarrë. Znj.Tabaku e konsideroi tepër të vlefshëm rolin e shoqërisë civile në diskutime, si dhe ngriti shqetësimin e mungesës së transparencës së pozicionit negociues nga ana e qeverisë dhe mungesës së konsultimit të tij me përfaqësues të shoqërisë civile apo grupe interesi.
Znj.Tabaku i njohu të pranishmit dhe me qëndrimin e mbajtur në komisionin për Çështjet Europiane lidhur me draft-pozicionit Negociues për Grupimin e parë të kapitujve “Themelorët” për negociatat për anëtarësimin në BE lidhur me përfshirjen dhe angazhimin e shoqërisë civile, si dhe ftoi të pranishmit të diskutonin dhe paraqisnin sugjerimet e tyre konkrete për qartësimin e procesit teknik të negociatave dhe gjetjen e mekanizmave të duhur për garantimin e gjithëpërfshirjes nga KKIE.
Gjatë diskutimeve pjesëmarrësit ngritën shqetësimin e mungesës së transparencës së dokumentit të pozicionit negociues apo tre udhërrëfyesve, si dhe përfshirjes së shoqërisë civile në tryeza me grupet negociatore, sidomos në çështje të një rëndësie të veçantë që do të kërkojë më shumë kohë për tu negociuara por dhe impakti tek qytetarët do të jetë më i drejtpërdrejtë, si: mbrojtja e konsumatorit, siguria ushqimore, etj.
Në përfundim të diskutimeve pjesëmarrësit propozuan: vënien në punë të një platforme komunikimi me publikun për Cluster 1 dhe grup-kapitujt që priten të hapen së shpejti; përfshirjen sa më shumë të shoqërisë civile në monitorimin e procesit dhe vendosjen e një detyrimi për të pasur program transparence nga Kryenegociatorja e Shqipërisë me BE; etj.
parlament.al