Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian (KKIE) zhvilloi sot takimin e radhës me temë: “Ecuria në “luftën kundër korrupsionit” dhe “reformën në administratën publike”, zbatimi i rekomandimeve të Raportit të Komisionit Europian për vitin 2023, Raportit për shqyrtimin Analitik për Grupkapitullin e I “Themeloret” si dhe angazhimeve të ndërmarra në kuadër të Udhërrëfyesve për “Shtetin e së Drejtës” dhe “Reformës në Administratën Publike”. E ftuar për të raportuar mbi çështjet kryesore të takimit ishte znj.Adea Pirdeni, Ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin. Takimi u përshëndet nga Kryetarja e KKIE-së, znj. Jorida Tabaku dhe Nënkryetari i KKIE-së, z. Toni Gogu, të cilët vlerësuan se rezultatet dhe forcimi i luftës kundër korrupsionit, si dhe zbatimi i rekomandimeve të lëna në drejtim të forcimit të kapaciteteve të administratës publike, janë tejet të rëndësishme për avancimin e agjendës integruese të vendit. Kryetarja e KKIE-së, znj. Jorida Tabaku në fjalën e saj vlerësoi se roli i Kuvendit dhe angazhimi në procesin e integrimit nuk janë ende në nivelin e duhur dhe duke iu referuar edhe gjetjeve të Progres Raporteve të vitit 2022 dhe 2023 theksoi se vendit i nevojitet vizion dhe një strategji e re për të luftuar korrupsionin dhe adresuar çështje që lidhen luftën ndaj tij në nivel parandalues. Ndër të tjera znj.Tabaku vlerësoi nismën e SPAK për hartimin e strategjisë për hetimin e krimeve zgjedhore, si dhe theksoi se në kapitullin e luftës kundër korrupsionit në progres raporte vërehen të njëjtat probleme të ngritura ndër vite. Nënkryetari i KKIE-së, z. Toni Gogu, në fjalën e tij vlerësoi rolin që ka marrë prej kohësh Kuvendi dhe Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian në procesin e integrimit, si dhe u ndal në mekanizmat kontrollues të gjetur për të monitoruar luftën ndaj korrupsionit. Duke u ndalur në ngritjen e komisionit të Posaçëm për Mirëqeverisjen, Luftën ndaj Korrupsionit dhe Sundimin e Ligjit, z.Gogu vlerësoi se Kuvendi tregoi seriozitet maksimal për t’u ballafaquar me sfidën e luftës kundër korrupsionit, por dhe gjetjen e mekanizmave të duhura, të konsultuara edhe me partnerët ndërkombëtar, si dhe ftoi opozitën të japë kontributin e saj. Më tej, znj. Adea Pirdeni, Ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, raportoi lidhur me avancimin e reformës në administratën publike dhe luftës kundër korrupsionit. Znj.Pirdeni parashtroi se vendi ka arritur progres në këto fusha dhe se hartimi i udhërrëfyesit për shtetin e së drejtës dhe udhërrëfyesit për reformën në administratën publike, përcaktojnë në mënyrë shumë të qartë se ku duhet të ketë progres Shqipëria deri në vitin 2030.