Lavdërime, tituj, dekorata, vlerësime institucionale dhe shtetërore – të tuat i pate. të gjitha i more! Po, mësues model dhe mbi të gjitha misionar në arsim dhe kulturë. Sa i vecantë! I veçantë se në shpirtin tënd rronte ndjenjë, dëshirë dhe respekt intelektuali, sa duheshe! Të kishim burrë të ndershëm, namuzqar, largpamës, vizionar e shumë punëtor.
Të kishim të mirë! Të qeshte buza e të punonte mendja. Shndrije, shkëlqeje, mbillje dhe korrje sukses! Qëndroje sedërli, jo si disa të tjerë, ziliqarë. Aftësia juaj ishte e jashtëzakonshme: burrë i kujdesshëm, i afrueshëm, i ngrohtë. Kur dimëronte e frynte murlan, mbroheshe, mbroje!S´ishe nazeli, por sqimatar e kokëfortë kur duhej, ishe zemërgjerë e shpirtbardhë.
Plotësoje mangësi e kurorëzoje mirësi.. Eh, ç´njeri ishe! Të largëtën e sillje afër, kurse të renë e përcillje tutje, të merrte vrap. S´u ndale, s´të ndalën. Jepje këshilla, mesazhe e porosi. Derdhe mirësi, tregoje mikpritje e bujari. Arrite ç´deshe, por na befasove. S´të deshëm të dorëzoheshe aq shpejt. Më kujtohet tavolina e fundit-tek Kopshti i Ri. Me kujdes të përcolla. Sa shpejt u fike!
Sa shpejt na ike. Shtrydhe e lotove zemra. Qoftë dheu i lehtë mbi trupin tuaj, mësuesi ynë, mësues Thomai! Mbetesh intelektual i shquar, njeri i mirë, prind shembullor. Një biografi e Thoma Binjakut ndodhet në librin ,”Çdo kodër me histori”. ( Edhe unë të dua Mallakastër).
Tetem Alushaj,
Fier 05.08.2023