Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian (KKIE) zhvilloi sot takimin me temë: “Ecuria e reformave në kuadër të Procesit të Berlinit”, çështje për të cilën ishin thirrur për të raportuar z.Taulant Balla, Ministër i Brendshëm. Në takim mbajtën fjalë përshëndetëse Kryetarja e KKIE-së, znj. Jorida Tabaku dhe Nënkryetari i KKIE-së, z. Toni Gogu, të cilët e konsideruan takimin si siparin e një sërë tryezash raportuese që do të zhvillohen nga KKIE për monitorimin e ecurisë së Procesit të Berlinit dhe Planin e ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Kryetarja e KKIE-së, znj. Jorida Tabaku, në fjalën e saj e vlerësoi takimin si një mundësi e mirë për të njohur jo vetëm ecurinë e angazhimeve dhe detyrimeve që ka vendi në kuadër të marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit, por dhe njohjen me situatën e rendit dhe sigurisë publike. “Si pjesë e Procesit të Berlinit një rëndësi të veçantë kanë dhe angazhimet dhe detyrimet që lidhen me lëvizshmërinë dhe sigurisht kontrollin e territorit, ku elementi më konkret ka qenë lëvizja me kartat e ID si një nga lehtësimet e para që erdhi. Një element të veçantë ka plani i veprimit dhe lufta kundër terrorizmit, plani i përbashkët i vendeve e Ballkanit Perëndimor, i cili duhet parë njëkohësisht edhe në kuadrin e Kapitullit 24 dhe strategjisë për luftën kundër krimit të organizuar 2021-2025, ku shpresoj që sot të kemi disa elementë për ti diskutuar”, u shpreh znj. Tabaku duke ngritur më tej shqetësime lidhur me përkeqësimin në elementë kyç si anti-trafikimi dhe migracionin i paligjshëm, por dhe integritetin në radhët e Policisë së Shtetit. Më tej znj.Tabaku informoi se KKIE tashmë ka një databazë me të gjitha marrëveshjet e nënshkruara nga qeveria shqiptare në kuadër të Procesit të Berlinit dhe do të vijohet me monitorimin e zbatimit në mënyrë që të jenë marrëveshje që sjellin përfitime reale, por dhe të jepet informacioni i nevojshëm mbi zbatimin e tyre. Më pas, Ministri i Brendshëm, z.Taulant Balla, raportoi lidhur me përmbushjen e angazhimeve dhe marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit, por dhe disa nga rezultatet dhe prioritet e Ministrisë së Brendshme në kuadër të procesit të integrimit europian. Fillimisht z.Balla u ndal në bashkëpunimin rajonal dhe marrëveshjen e vitit të fundit lidhur me menaxhimin e integruar të kufijve, menaxhimit të sfidës së migracionit, luftës kundër krimit të organizuar dhe punën për parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore. “Sa i përket përballjes me flukseigratore dhe angazhimit të qeverisë dhe agjencive ligjzbatuese shqiptare, Bashkimi Europian e vlerëson Shqipërinë si një vend model krahasuar me vendet e tjera sa i përket qasjes që ka pasur në përballimin e këtyre flukseve migratore, që vijnë kryesisht nga Azia dhe Afrika dhe që përzgjedhin korridoret e Ballkanit Perëndimor për t’iu drejtuar Europës Qendrore”, nënvizoi z.Balla duke shtuar se po punohet intensivisht me vendet e Rajonit dhe Komisionin Europian për zbatimin e planit të veprimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor, ku veçoi marrëveshjen e fundit me BE-në për aktivitetet operacionale. Më tej z.Balla informoi mbi pjesëmarrjen në projektin EMPACT, bashkëpunimin me EUROPOL, marrjen e presidencës në MARRI (Nisma Rajonale për Migrimin, Azilin dhe Refugjatët), kuadrin nënligjor të ndërmarrë në kuadër të zbatimit të ligjit “Për të huajt”, digjitalizimin e shërbimeve për emigracionin, aplikimet për lejet e qëndrimit, etj. Aktiviteti u transmetua live në faqen zyrtare web dhe “Facebook” të Kuvendit.