Në datën 30 gusht 2024, Fondacioni H.M organizoi “Ditën e Gjuhës Rumune” në Ambasadën Rumune në Tiranë. Qëllimi i veprimtarisë është kremtimi kulturor i kësaj dite. Dita festive u shoqërua me pjesëmarrjen e shoqatave arumune, aktivistëve si dhe me praninë e SH.T Ambasadori i Rumanisë, z. Oktavian Sherban (Octavian Șerban).
Hapja e veprimtarisë u shënua me fjalen e z. Ambasador Sherban. Më pas u bë një prezantim nga Entela Binjaku, Drejtoreshë e Fondacionit H.M. në lidhje me nismën e nisur vitin e kaluar për të festuar traditat dhe personalitetet rumune në Ditën e Gjuhës Rumune. Edicioni i sivjetshëm mban titullin: “Të frymëzuar nga tradita”.
Aktiviteti do të vazhdojë me prezantimin e studentes Klea Malka e cila solli në vëmendje të të pranishmëve traditat arumune përmes punimeve të saj pirografike të punuara me dorë. Punimet e Kleas (të zbukurimit të sipërfaqes së objekteve prej druri me djegie) përfshijnë portrete, imazhe të ndryshme, objekte arti, tradita arumune etj. Klea Malka, studente e vitit të tretë në Fakultetin e Mjekësisë së Përgjithshme në Bukuresht u shpreh: “Jam e lumtur që jam me ju në ditën e gjuhës rumune duke marrë pjesë me disa nga veprat e mia në stilin pirogravurë. Pirografia ose shkrimi me zjarr është një art, një teknikë e lirë në të cilën druri zbukurohet me shenja djegieje me një mjet metalik të nxehtë. Fillova ta mësoj këtë lloj arti që në klasën e gjashtë. Talenti im u vu në pah nga shokët e mi të klasës dhe mësuesit. Kur u mbajt një kurs pirografie, ata dëshironin që unë të merrja pjesë. Ata më besuan dhe unë pranova. Në klasën e nëntë kam fituar çmimin “Pirogravura më e bukur”. Aktualisht jam studente por kur kam kohë të lirë pikturoj, sepse për mua ky hobi është si profesion. Në fillim nuk kisha shumë porosi sepse jo shumë njerëz e njohin artin e djegies së drurit, por me kalimin e kohës gjithçka ndryshoi. Piktura që më kushtoi shumë kohë ishte një hartë e botës. Në pikturat e paraqitura kam dashur të shpreh pikat e përbashkëta mes kulturës, traditës dhe zakoneve shqiptaro-arumune. Duke filluar nga zanatet, bujqësia, letërsia, arti, dashuria për natyrën dhe kafshët. Kjo është një formë e mesazhit që dua të përcjell. Impulsi i të rinjve për të promovuar gjithnjë e më shumë kulturën dhe vlerat e mira të origjinës sonë. Faleminderit për vëmendjen tuaj! Falënderoj zonjën Entela për këtë organizim dhe për mundësinë për të mbajtur ekspozitën.Kjo veprimtari festive u moderua nga studentja në Fakultetin e Mjekesisë në Bukuresht, Jurdesa Malka.