Në një nga qytetet më piktoreske të Gjermanisë, Heidelberg, u organizua veprimtaria me titull: “INTERNATIONALES JUGENDFESTIVAL HEIDELBERG 2024” nga organizata “Alexandru Ioan Cuza” në bashkëpunim me “Interkulturellen Zentrum (IZ) Heidelberg”. Veprimtaria zgjati 2 ditë, në datat 25-26 Tetor 2024 dhe në të morën pjesë të rinj nga vende të ndryshme të botës, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Të gjithë të mbledhur për të promovuar kulturën e përbashkët rumune, atë vendase, e më gjerë. Festivali u hap prej fjalëve përshëndetëse të organizatorëve: zoti Josif Herlo nga Gesellschaft für Literatur, Musik und Kunst e. V. Heidelberg ju drejtua publikut me ngrohtësi duke ja lënë vendin më pas interpretimeve të jashtëzakonshme të grupeve të ndryshme. Më herët nën shoqërimin e zotit Herlo një grup nga Moldavia dhe ne nga Shqipëria zhvilluam homazhe tek busti i Aleksandër Joan Kuzës.
Mes valleve hungareze, armene, bullgare, ruse, moldave, ritmeve afrikane në këtë Festival u përfaqësua edhe Shqipëria. Një grup arumunësh nga fondacioni “Harriet Martineau” nën drejtimin e drejtoreshës Znj. Entela Binjaku çelën ditën e dytë të Festivalit. Znj. Binjaku bëri një paraqitje të situatës së arumunëve të Shqipërise, më tej për të pranishmit pata mundësinë të interpretoja në arumanisht poezinë e njohur “Limba a Noastâ”.
Programi ynë vijoi me dy këngë të interpretuara nga Juri Andoni i cili këndoi nga repertori rumun dhe arumun. Përtej festivalit mbresëlënës, i gjithë ekipi organizues ishte mikprites dhe i përkushtuar, ndaj miqve dhe ndaj veçantive të traditave, e gjitha shumë frymëzuese për mua si pjesëmarrëse. Ndihem falënderuese dhe e privilegjuar qe isha pjesëmarrëse në këtë takim kulturor dhe të mësoja më shumë për kulturën rumune dhe atë botërore, mundësi që ma krijoi etnia jonë arumune!