Është hapur në Tiranë mbrëmjen e së hënës së 12 shkurtit 2024 ekspozita me titull “Ri-vitalizimi i materies”. Kjo ekspozitë ndodhet në Galerinë pranë Komitetit për Pakicat Kombëtare dhe paraqet punët artizanale të Ilir Kaçanit. Për të gjithë të interesuarit ekspozita do të qëndrojë e hapur nga data 12 shkurt – 26 shkurt dhe në të paraqiten punime artizanale në dru, materiale të riciklueshme, rërë, guacka, tel, metal, litar etj.
Tezgjahu, tradita e zierjes së rakisë, e rrahjes së bylmetit në dybek, kisha dhe besimi fetar etj. janë disa elementë që të sjellin në vëmendje trashëgiminë kulturore dhe nevojën për ta ruajtur atë të gjallë. Autori përmes punëve të tij të krijuara në 5 vitet e fundit, përqendrohet ne tri dimensione kryesore: dashurinë për Shqipërinë, respektin për traditat e pakicës kombëtare arumune dhe pasionin për të krijuarin. Ajo që disa vite më parë nisi për Ilirin si një pasion i çastit u shndërrua me kalimin e kohës në një punë këmbëngulëse dhe të vullnetshme. Autori vjen nga një prej familjeve të respektuara arumune të fshatit Skrofotinë të Vlorës dhe në mjaft prej punimeve të tij elementë të traditave të kësaj pakice kombëtare. Kjo ekspozitë nisur nga situata specifike e autorit vjen edhe nën moton: ‘Çdo aftësi është një mundësi” dhe synon t´i njohë të pranishmit jo vetëm me pasionin për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, me dashurinë për vendin, për origjinën, por mbi të gjitha synon të ngjallë respekt për vullnetin për të punuar dhe për të ndjekur pasionin. Respektimi i traditave, dokeve dhe zakoneve të pakicave kombëtare por edhe sigurimi i kushteve për ruajtjen dhe trashëgiminë e tyre është i një rëndësie të madhe për proceset integruese të vendit në BE. Në përputhje me rekomandimet e BE-së dhe në bazë të ligjit 96\2017 “Per Mbrojten e Pakicave Kombetare në Republikën e Shqipërisë” të gjitha pakicat duhet të kenë të garantuara të drejtat dhe kushtet për gjuhën amtare, paraqitjen e identitetit te tyre kulturor për ruajtjen e traditave dhe të zakoneve.